Përmes një komunikate për media, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizreni ka njoftuar se sot më datën 15.07.2024 Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me njësitë e tjera policore nga Drejtoria e Përgjithshme kanë arritur që të lokalizojnë të dyshuarin B.U. mashkull 37 vjeçar, nga Prizreni i cili ishte në kërkim policor që nga data 17.05.2024.
I dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar në Fushe Kosovë.
I dyshuari ishte i kërkuar për dyshime se me datë 17 maj 2024 në fshatin Nashec, në Prizren ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, me atë rast viktima ka pësuar lëndime nga plumbat e armës së zjarrit.
Personi në fjalë është i dyshuar edhe për disa vepra të tjera dhe që është në kërkim policor gjithashtu.
Policia e Kosovës ofron siguri për qytetarët e saj pa dallim dhe do të vazhdoj me intensitet të shtuar që personat që janë në kërkim sa më parë ti ndaloj dhe ti dërgoj para organeve të drejtësisë, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës në Prizren.