Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të prezantohet një dritare garantuese kreditore për mërgatën, që sipas tij, nëpërmjet saj do të garantohen hua për bizneset me pronarë bashkatdhetarë.
Kurti ka shkruar në Facebook se nëpërmjet kësaj po synohet që potenciali i rritjes së vendit dhe fuqia investuese e mërgatës “të ecin krah për krah”.
Ai ka përmendur edhe heqjen e shpenzimeve të policës së sigurimit për automjetet.
“Përpos mbulimit të shpenzimeve të policës së sigurimit për automjete me vlefshmëri për një muaj, pakoja jonë mirëseardhëse për bashkatdhetarët tanë këtë vit përfshin edhe një dritare garantuese kreditore, të cilën do ta hapim javën që po vjen. Përmes saj do të garantojmë huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të kthehen e të investojnë në vendlindjen e tyre, në republikën tonë. Këtë po e bëjmë me bindjen e plotë që potenciali i rritjes së vendit tonë dhe fuqia investuese e mërgatës sonë duhet të ecin krah për krah”, është shprehur Kurti të dielën./KOHA/