Gjykata Speciale të martën ka reaguar për heqjen e kollares së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore të hënën, duke thënë se ka pasur dyshime nëse veshja e të akuzuarit është sipas rregullave të paraburgimit.
Specialja ka treguar se shefi i paraburgimit i ka konfirmuar se kollarja është e lejuar dhe pasdite ia kanë kthyer Krasniqit.
“Dhomat e Specializuara dëshirojnë të bëjnë një sqarim për ngjarjen e djeshme në lidhje me Krasniqin. Para seancës së djeshme, sigurimi i Speciales i kërkoi Krasniqit ta hiqte kollaren, duke kërkuar sqarime nga shefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit që ndalojnë veshje të caktuara do të zbatoheshin në këtë rast. Krasniqit i është kthyer kollarja dje pasdite dhe shefi i paraburgimit ka konfirmuar se bartja e kollares është e lejuar”, thuhet në reagimin e Speciales.
Gjatë ditës së sotme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar rastin. Në një letër drejtuar Trendafilovës, Haxhiu e ka cilësuar akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.
Të hënën, Specialja nuk ia lejoi Krasniqit ta bartë kollaren me shqiponjë, e të cilën e kishte bartur edhe në seanca të mëhershme. Në seancë u ngrit kjo çështje nga avokatja e Krasniqit, por kërkesa nuk iu adresua publikisht.
Krasniqi dhe ish-krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.