Agjencia për Informim dhe Privatësi iu ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin gjatë vendosjes së kamerave në prona private, duke thënë se respektimi do të ndihmonte në ruajtjen e privatësisë.
AIP tha të martën se ka pranuar ankesa nga qytetarët se janë vendosur kamera në objekte private jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
“AIP ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në objektet private (në shtëpi dhe banime kolektive) jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ankesat e adresuara në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve pasi që të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike. Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë vendosur sistemin e kamerave që të sigurohen që kamerat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve”, thuhet në njoftim.
Agjencia tha se qytetarët që i vendosin kamerat janë të obliguar t’i vendosin shenjat njoftuese për praninë e kamerave dhe t’i ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurt “për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë”.