Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2023, listoi disa gjetje për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas raportit, 20 zyrtarë serbë që u sistemuan më 2015 vazhdojnë të marrin paga pa punuar asnjëherë. E një gjetje tjetër thotë se në proporcion me vitin paraprak në këtë dikaster qeveritar më 2023 është rritur për 52 numri i zyrtarëve policorë që u sistemuan në pozita, pa e plotësuar kriterin e gradës
Njëzet punonjës nga radhët e komunitetit serb, që në vitin 2015 janë sistemuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) me qëllim të integrimit në sistemin e Kosovës. Ata ende marrin pagë mujore pa punuar asnjëherë, tregon raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Bazuar në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare të MPB-së për vitin 2023, ky dikaster qeveritar nuk ka arritur të ndërmarrë hapa konkretë për monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.
“Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për Ministrinë që nga nënshkrimi i aktit të emërimeve të tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevantë, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Vlera e pagesave të realizuara për këta punonjës për vitin 2023 ishte 108.794 euro”, thuhet në raport.
Në mesin e gjetjeve që ZKA-ja i listoi për Ministrinë e Brendshme është edhe ajo për ushtrimin e pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara.
Sipas raportit, krahasuar me vitin 2022, në vitin e shkuar është rritur për 52 numri i zyrtarëve policorë që janë sistemuar në pozita, pa e plotësuar kriterin e gradës.
“Një numër i stafit policor vazhdon të jetë i sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë, sipas strukturës organizative. Sipas të dhënave nga njësia e personelit, 185 zyrtarët policorë vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita, ku kërkohet gradë më e lartë sesa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit, përmes procesit të rregullt të gradimit. Në raport me vitin paraprak, numri i zyrtarëve është arritur nga 133 në 185”, theksohet në raport.
Që të dy gjetjet janë përsëritur nga vitit paraprak, pasi, sipas raportit, Ministria e Brendshme nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim dhe nuk ka filluar së zbatuari rekomandimet e bëra.
Me të gjitha gjetjet e Auditorit është pajtuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që nëpërmjet letër-konfirmimit ka theksuar se nuk ka koment për përmbajtjen e raportit./koha.net/