Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka evidentuar në sistemin ‘e-pasuria’ furnizimet në vlerë 30 mijë e 839 euro që ishin blerë e paguar në vitin 2023.
Në raport thuhet se furnizimet që nuk janë evidentuar në ketë sistem janë:
– Furnizim me inventar për Njësinë e Shërbimeve të Burgjeve në vlerë 13,409 euro.
– Furnizim me pajisje të teknologjisë informative në vlerë të 9,991 euro dhe
– Furnizim me pajisje shtëpiake për Njësinë e Shërbimeve të Burgjeve në vlerë 7,439 euro.
Sipas rregullores së Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare, pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK, ndërsa ajo jo kapitale dhe stoqet në regjistrin ‘e-pasuria’.
Sipas ZKA-së, mangësitë në regjistrimin e pasurive në sistemin ‘e-pasuria’ ka ndodhur për shkak të mos funksionimit adekuat të kontrolleve të brendshme, dhe mos komunikimit të duhur në mes të njësive vartëse në kuadër të MSH-së.
Ndërsa thuhet se kjo ka rezultuar në prezantim jo të drejtë të pasqyrave financiare.
“Mungesa e regjistrave të saktë dhe të plotë të pasurive dhe raportimi jo i duhur i tyre pamundëson një menaxhim dhe kontroll efektiv mbi pasuritë nën 1,000€. Si rrjedhojë e këtyre mangësive kemi nënvlerësim të pasurive duke rezultuar në prezantim jo të drejtë të tyre në pasqyrat financiare”- thuhet në raport.
ZKA-ja ka rekomanduar që ministri duhet të sigurojë se të gjitha njësitë brenda MSH-së bashkëpunojnë efektivisht me zyrtarin e pasurisë në mënyrë që të ketë një regjistër të plotë dhe të saktë të pasurive.
Po ashtu, duhet shtuar kujdesi gjatë procesit të regjistrimit të pasurive dhe gabimet e evidentuara në regjistrin e pasurive duhet të korrigjohen në mënyrë që vlera e pasurive të jetë reale.
Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për MSH-në në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Në raportin e auditimit për vitin 2023, MSH ka marrë gjashtë rekomandime, prej tyre katër janë të reja dhe dy rekomandime të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili publikohet në qershor të vitit 2025.
Në vitin 2022, MSH kishte marrë shtatë rekomandime. Prej tyre, deri në përfundim të auditimit në vitin 2023 nga ZKA, pesë rekomandime ishin zbatuar dhe dy të tjera nuk ishin zbatuar./KALLXO.Com