Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova njihet si demokracia më e lartë në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sipas tij, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje.
Kështu ka shkruar ai në një opinion të botuar në “The New York Times”, teksa ka përshkruar rolin e NATO-s dhe arritjet e saj në Kosovë.
Kurti ka thënë se një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë, pasi sipas tij, Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit.
Ai ka përmendur edhe rritjen e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë vitin e kaluar, nga 3770 në 4500, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë opinion, Kurti e ka akuzuar Serbinë edhe për pengim të integrimit të serbëve në Kosovë.
“Disa në Shtete të Bashkuara e kanë minimizuar rëndësinë e NATO-s. Shumë partnerë europianë shqetësohen se pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, angazhimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet. Por, derisa NATO përgatitet për fillimin e samitit në Uashington të martën, duke shënuar 75 vjet nga lindja e saj, unë do të doja t’i kujtoja botës se si NATO është ngulitur në identitetin kulturor dhe politik të një vendi në Europë: timin, Kosovës.
Në vitin 1999, një fushatë e pamëshirshme serbe e udhëhequr nga udhëheqësi serb dhe presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq solli masakra, përdhunime dhe dëbimin e rreth gjysmës së popullsisë shqiptare të Kosovës. Ishte një fatkeqësi humanitare. Bombardimet e vazhdueshme ajrore të NATO-s ndaj forcave dhe pozicioneve serbe i dhanë fund tmerrit. Më pas, aleanca dërgoi gati 50,000 trupa menjëherë.
Kush nga njerëzit e mi do të mund ta harronte pamjen e ushtarëve të NATO-s që brohoriteshin kur mbërritën? Gjatë 25 viteve të fundit, derisa NATO ndihmoi në çlirimin e Kosovës dhe ruajti paqen, ne ndërtuam demokracinë për të nxitur këtë paqe nga brenda. Ne shpallëm pavarësinë tonë në 2008, një ide që do të rezonojë me amerikanët që sapo kanë festuar Ditën e Pavarësisë. Shumica e botës tani e njeh kombin e njohur si ‘Kosovo’ edhe pse unë preferoj drejtshkrimin shqip, ‘Kosova’.
Nuk kishte dyshim për ne, duke pasur parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje, se situata në Kosovë do të ishte përkeqësuar me shpejtësi pa NATO-n. Si kosovar, është e dhimbshme edhe të imagjinosh se sa më keq mund të ishte bërë.
Që në fillim, ndërhyrja e NATO-s ishte humanitare. Por një ndërhyrje humanitare u shërben gjithashtu interesave kombëtare, sado që ne do të donim t’i konsideronim ato si të dallueshme. Paqja në Europë dhe ndalimi i vuajtjeve njerëzore u shërbenin interesave kombëtare të anëtarëve të NATO-s. Konflikti në Ballkan rrit rrezikun e përhapjes në Europën Perëndimore, jo vetëm përmes krizave të refugjatëve, por edhe duke tërhequr lojtarë të huaj në këtë kufi historikisht të rëndësishëm gjeopolitik, duke kërcënuar sigurinë e Europës.
Perëndimi duhet të jetë krenar për këtë arritje. Kosova tani njihet si demokracia më e lartë në Ballkanin Perëndimor. Ky transformim nuk ishte bërë vetëm fal NATO-s; kërkoi përpjekje nga shumë parti dhe, më e rëndësishmja, vendosmëria e popullit kosovar që u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësisht që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë pjesë. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike – ajo duhet të ruhet vazhdimisht.
Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’. Vitin e kaluar NATO rriti numrin e trupave e nga 3,770 në rreth 4,500 mes kërcënimeve në rritje.
Sfidat politike mbeten gjithashtu. Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër i propagandës nën Millosheviçin, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi një rikthim në politikën autoritare, etnonacionaliste të Millosheviçit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi veçanërisht jetën serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 përqind shqiptarë etnike dhe 7 përqind të përbërë nga pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’i bashkohen institucioneve dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në vend.
Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë në ushtrinë e saj dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Sipas një raporti të vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, ‘Serbia ofron mjedisin më të hapur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor’. Kosova, në krahasim, nuk mund të ofrojë një mjedis më pak të hapur. Ne kemi mbetur fort pro-perëndimorë
Një çerek shekulli pas ndërhyrjes, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë. Historia e saj e fortë në vend tregon se demokracia dhe mbështetja institucionale që ajo ndihmoi në vendosjen, së bashku me kërcënimet e jashtme që parandaloi, ruajtën me sukses paqen. Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po përballemi sërish me luftë dhe kërcënime lufte në Europë. Këtu, paqja mbështetet vetëm nga aftësia jonë për ta mbrojtur atë kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe kërcënimi i një sfide të tillë është më real se kurrë.”, ka thënë Kurti.