Në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren, konkretisht në Shërbimin e Kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit nga data 14 qershor kur dhe është bërë hapja deri më tani, janë trajtuar 46 pacientë.
Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren në rrjetin social Facebook, ku theksohet se që nga data e hapjes janë kryer shërbime si 34 koronografi, 12 stendime, prej tyre 5 raste akute, ndërsa gjatë ditëve të fundit janë kryer 4 raste elective dhe në trajtim është një rast akut.
Kurse, gjatë ditës së djeshme stafi menaxherial Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive, së bashku me drejtorin mjekësor, Hasan Arzoallxhiu, drejtorin e Infermierisë, Fevzi Xhemali, dhe drejtorin e Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta, Sami Ahmetaj, kanë vizituar Shërbimin e kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit për të parë nga afër shërbimet dhe pacientët e hospitalizuar.

