Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokristiane të Kosovës (PSHDK), për garimin e përbashkët në një listë zgjedhore, përkatësisht në listën e LDK-së, në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Kështu ka bërë të ditur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook.
Abdixhiku ka deklaruar se ky bashkëpunim është “rikthim në traditën e ndershme dhe të shëndoshë” që e kanë pasur nëpër dekada këto dy parti.
“Ky bashkëpunim është rikthim në traditën e ndershme dhe të shëndoshë që nëpër dekada kemi pasur, që nga koha e Presidentit Rugova dhe profesor Mark Krasniqi.
Përbashkimi i së djathtës brenda listës së LDK-së, me programin e LDK-së dhe me bindjet tona ideologjike që definojnë vet të ardhmen euroatlantike, është domosdoshmëri kombëtare”- ka shkruar Abdixhiku.
“LDK-ja do të vazhdojë angazhimin në përbashkimin e së djathtës me partnerë të tjerë gjatë ditëve, javëve e mujave të ardhshëm”- shton ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur qëndrimin se dorëheqja e Qeverisë, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është rruga e vetme për zgjedhjet e parakohshme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u pati dërguar letër krerëve të partive parlamentare; kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për ta shpërndarë Kuvendin.
Por, LDK dhe AAK kanë insistuar që në zgjedhje të parakohshme të shkohet vetëm përmes rrëzimit të Qeverisë ose dorëheqjes së kryeministrit Kurti.
/KALLXO.Com/