1 mijë e 432 fëmijë shqiptarë që janë viktima të gjenocidit të Serbisë, janë përkujtuar në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Në përkujtim të tyre, Grupi i Studentëve të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, ka organizuar të shtunën një manifestim paqësor në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Në këtë manifestim u kritikuan institucionet vendore për mos vendosjen e një memoriali tash e 25 vite pas luftës, për ti përkujtuar ata.
Yllëza Myrtezi, Studentet e Fakultetit Edukimit ka thënë se janë mbledhur të nderojnë 1 mijë e 432 fëmijët e vrarë nga gjenocidi serbe në luftën e fundit në Kosovë.
Ajo ka thënë se më e pakta që mund të bëjë shoqëria për ta është që në këto ditë ata të përkujtohen dhe të ngritët një obelisk në nderim të tyre.
“Pikërisht sot jemi mbledhur të nderojmë ata 1 mijë e 432 fëmijë shqiptarë të cilat dora serbe barbare gjenocidale ua morri jetën në mënyrën më çnjerëzore e më mizore. Andaj për këtë arsye derisa ata dhanë me të shtrenjtën e tyre që e kishin jetën e tyre më e pakta prej nesh çka mund të bëjmë për ta është t’i përkujtojmë dhe ta ngritim një obelisk përkujtimor për ta që vepra e tyre dhe gjaku i tyre të mos humbet kurrë”, ka thënë ajo.
Profesori Nysret Pllana, ka thënë se për 25 vite rresht asnjë shenjë e kujtesës historike nuk është vendosur për t’i përkujtuar këta fëmijë.
“Që 25 vjet shkelen shqiptarët mbi gjakun e fëmijëve tanë të viktimizuar nga Serbia gjenocidale dhe fashiste. Vetë fakti që 25 vite rresht asnjë shenjë të kujtesës historike nuk i është vendosur këtyre fëmijëve lenë të kuptohet qe shqiptarët, harresën e kanë defekt gjenetik dhe kjo është për keqardhje”, ka thënë ai, shkruan EkonomiaOnline.
Kurse Xhavit Muqolli, përfaqësues i familjeve që kanë humbur fëmijët gjatë luftës, ka kërkuar nga institucionet vendore që të vendoset memoriali në kujtim të këtyre fëmijëve.
“Sot në këtë ditë krejt bota feston, është Dita Botërore e Fëmijëve, ndërsa ne kemi dalë të kërkojmë nga institucionet tona që të paktën ne si familjarë si prindër të kemi një memorial ku mundemi në ditë të veçanta të shkojmë të dhurojmë një lule, të çmallemi me vendin edhe me emrat e fëmijëve tanë”, ka thënë ai.
/IndeksOnline/