Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se nuk e kanë gjetur mbështjen e nevojshme nga partitë tjera opozitare për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.
“Sot më 29 maj siç e kam cekur edhe si afat, ndjej keqardhje ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit tashmë është ezauruar, nuk kemi gjetur mbeshtetjen e nevojshme” – tha kreu i PDK-së në një konferencë për media më 29.05.2024.
Krasniqi tha se është i habitur me mosgatishmërinë e partive tjera opozitare – LDK-së dhe AAK-së për të përkrahur PDK-në për zgjedhje të reja.
“Jam i habitur për mosgatishmërinë e partive tjera për këtë gjë.
Edhe për ne dorëheqja ka qenë mundësi më e mirë për shkuarje në zgjedhje… Për fat të keq kolegët tonë nuk kishin vullnetin si tonin, ndoshta ju duhet më shumë kohë”- tha ai.
PDK-ja tha Krasniqi e ka konsiderur që zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e parakohshme, “më tëpër se dëshirë e jona ishte nevojë edhe e qytetarëve.”
“PDK-ja pati angazhim të shtuar për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, me qëllimin e vetëm për t’ia shkurtuar mandatin jo frytdhënës kësaj qeverie” – theksoi ai.
“Në tri vitet e fundit kemi pa stagnim të shtetit, ngritje të çmimeve, përfaqësim jo të dinjitetshëm jashtë vendit, emigrim e të tjera”- tha kryetari i PDK-së.
Kryetari i PDK-së shtoi se nuk ka askund në botë “kur qeveria thotë hajdeni të shkojm ënë zgjedhje e opozita të thotë me vazhdu mandatin.
”Sipas Krasniqit, janë tri opsione për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.“E para me mocionin e mosbesimit, e dyta: Dorëheqja e kryeministrit dhe e treta shpërndarja e kuvendit.
Ne kemi dashur t’ia shkurtojmë mandatin kesaj qeverie 8 muaj më herët, në të ardhmen kushdo që e ka këtë mundësi ne do ta mbështesim.
Preferenca e PDK ka qenë që mocionin ta bëjnë partitë opozitare, sepse ëahtë më e shëndetshme më logjike”- tha ai.
Sipas kreut të PDK-së, do të jenë konsistent në qëndrimin për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Ne kemi dashur t’ia shkurtojmë mandatin qeverisë tetë muaj më herët, mendoj që edhe tetë ditë më herët me e përfundu këtë qëveri, është në dobinë e vendit dhe qytetarëve tanë.
”PDK-ja kishte propozuar datat 30.06.2024 ose 07.07.2024 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.
Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje nëse koordinohet opozita, por jo që qeveria të dorëhiqet.
/KALLXO,Com/