Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në një nga njësitë e të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica) në Mitrovicë të Veriut.
Kjo pasi në të ka mbetur edhe një kasafortë pa u kontrolluar, teksa sot (29.05.2024) zyrtarët policorë kanë filluar që të kontrollojnë atë.
Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Policia më 20.05.2024 ka zhvilluar një aksion në veri me ç’rast ka mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve”.
Sipas një komunikate për media, ky operacion rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.
“Operacioni policor i realizuar në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian.
Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin” – thuhej në komunikatë.Policia ishte thëë se gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
/KALLXO.com/