Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka bërë kërkesë që të lëshohen urdhërarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe liderin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, për krime lufte, ka njoftuar “BBC” të hënën.
Karim Khan KC ka thënë se ka arsye të konsiderueshme për të besuar se të dy burrat mbajnë përgjegjësi penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga të paktën 7 tetori i vitit 2023.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant dhe lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, shefi ushtarak Mohammed Deif, po ashtu po kërkohen për arrestim.
GJNP-ja, me seli në Hagë, ka hetuar veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara në tri vjetët e fundit dhe së fundi edhe veprimet e Hamasit.
Netanyahu së fundi e ka quajtur mundësinë që figurat e larta të Izraelit t’i bashkohen listës së të kërkuarve të GJNP-së si “zemërim me përmasa historike”.
Ministri izraelit i Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, një rival politik i Netanyahut, ka reaguar ndaj vendimit të prokurorit.
Ai e ka quajtur “shtrembërim të thellë të drejtësisë dhe një falimentim i hapur moral”, vendimin e kryeprokurorit të GJNP-së.
Gjykatësit e GJNP-së tani do të përcaktojnë nëse besojnë se provat janë të mjaftueshme për të lëshuar urdhëarreste.
Afati kohor mund të ndryshojë, mund të duhet javë apo muaj mes kërkesë së bërë nga prokurori i GJNP-së dhe vendimit të gjyqtarëve.
Izraeli ka njoftuar se do të krijojë një qendër speciale komanduese për të luftuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Kratz, ka thënë se grupi do të krijohet për ta luftuar vendimin që thotë se ka për qëllim “t’ia lidhë duart shtetit të Izraelit dhe t’ia mohojë të drejtën për vetëmbrojtje”.
“Asnjë fuqi në botë s’do ta ndalojë Izraelin të rikthejë pengjet në shtëpi dhe ta rrënojë Hamasin”, ka thënë Katz.
Ndërsa një zyrtar i Hamasit ka thënë se vendimi i Prokurorisë së GJNP-së “barazon viktimën me ekzekutuesin”.
Zyrtari Sami Abu Zuhri ka reaguar pasi është bërë kërkesë për arrestim të tre zyrtarëve të lartë të Hamasit.