Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se premtimi i zëvendëskryeministres Donika Gërvalla-Schwarz në letrën dërguar Byrosë së Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023), përcjell Reporteri.net.
“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023)”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Oferta e dytë, shkroi ai, ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës.
“Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti janë refuzuar. Të shohim a do pranohet për herën e tretë”, shkroi tutje zëdhënësi i Qeverisë.