Faqja zyrtare e UPZ “ Ukshin Hoti” në Prizren, njofton se, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur për akreditimin e programit studimor të nivelit master, Qeverisje Demokratike dhe Sundimi i Ligjit LL.M, në kuadër të Fakultetit Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
“Programi studimor master “Qeverisje Demokratike dhe Sundimi i Ligjit” është program konkurrues dhe inovativ i cili ka për qëllim të ofrojë edukim cilësor, kërkime shkencore dhe kontribut në komunitet, duke përgatitur kuadro nga fusha e qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit, të cilët do të shërbejnë në institucionet publike, sektorin privat dhe në komunitet.
Programit studimor master “Qeverisje Demokratike dhe Sundimi i Ligjit”, synon të jetë lider në rajon në fuqizimin e vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës për një shoqëri ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Propozimi i këtij programi, ka ardhur edhe si nevojë e domosdoshme që në Republikën e Kosovës, të ofrohet një program i avancuar nga fusha e sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike, me qëllim që të diplomuarit nga ky program, me rastin e punësimit, këtë edukim ta bartin në institucionet publike dhe private, kështu të fuqizohet promovimi i vlerave demokratike dhe sundimi i ligjit, si parime bazë për garantimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky program i studimeve nuk ofrohet nga ndonjë institucion i arsimit të lartë në vend, prandaj interesimi për të studiuar në këtë program ekziston jo vetëm nga aplikuesit nga regjioni i Prizrenit, por edhe nga regjione të tjera në vend dhe nga shtetet e rajonit. Programi studimor, është hartuar në harmoni me Planin Strategjik të Fakultetit Juridik, Planin Strategjik të Universitetit, Strategjinë për Hulumtime Shkencore, Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe me trendët ndërkombëtare në arsimin e lartë.”, thuhet në fund të këtij njoftimi.