Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me ministrin britanik për Luftim të Migrimit të Paligjshëm, Michael Tomlinson, të cilin e falënderoi për mbështetjen në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve.
Ai ka thënë se luftimi i migrimit të paligjshëm mbetet prioritet i MBP-së, duke shtuar se kjo ministri ka hapa konkretë për këtë veprim.
“Luftimi i migrimit të paligjshëm mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe për këtë ministri Sveçla e njoftoi ministrin Tomlinson mbi hapat konkret që MPB ka ndërmarrë në këtë drejtim. Ministri Tomlinson përgëzoi ministrin Sveçla për punën, gatishmërinë për bashkëpunim, dhe veçanërisht për përfshirjen e Republikës së Kosovës në task forcën e përbashkët me Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar në luftimin e migrimit të paligjshëm. Pas takimit të dy ministrat dhe delegacionet e tyre vizituan Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku Ministri Tomlinson pa nga afër modalitetet dhe kapacitetet përmes së cilave zyrtarët angazhohen në menaxhimin kufitar”, thuhet në komunikatën për media.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se dy ministrat dhe delegacionet vizituan edhe pikën kufitare në Morinë, ku ndoqën punën e policisë kufitare.
/KOHA.net/