Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se inflacioni është në rënie si në vendet e Bashkimit Evropian (BE) edhe në Kosovë dhe se në muajt në vijim pritet që të ketë stabilizim të çmimeve të produkteve dhe ulje të normave të interesit të bankave.
Ai ka thënë se në rritjen e çmimeve të produkteve ndikon edhe fakti që Kosova është e varur nga importi që bën nga shtetet e ndryshme.
“E para sa i përket produkteve bujqësore është ndërrimi i sezones dhe ne importojmë në këtë kohë për arsye se ende nuk është periudha kur kultivohen produktet tona për atë arsye janë edhe më të shtrenjta. Ndërsa sa i përket inflacionit, inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë por është edhe në vendet e BE-së. Ne kemi thënë edhe në fillim të vitit kur e kemi prezantuar raportin e OEK-ut por edhe parashikimet tona kemi paraparë që këtë vit do të ketë ulje të inflacionit por do të ketë edhe ulje të normave të interesit të bankave. Kështu që me rënin e inflacionit ne besojmë shumë që do të shkojnë duke rënë edhe çmimet, për arsye se sipas dinamikes së sotme, sipas indikacioneve që i kemi sot nuk pritet që do të ketë një rritje të inflacionit apo një rritje të çmimeve”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se me afrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë.
“Ne besojmë që edhe pritjet tona janë që me ofrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë. Ne jemi duke importuar prej Turqisë edhe prej vendeve të tjera produktet bujqësore se nuk është koha tani që kultivohen në Kosovë. Me afrimin e muajve të tjerë do të fillojnë edhe produktet tjera tonat që dalin në treg do të fillojnë edhe çmimet të bien”, ka thënë ai. / EO