Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me tentimvrasjen e zëvendësministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq.
Radomiroviq ka raportuar se rasti ka ndodhur derisa ishte duke hyrë në një lokal në Leposaviq.
Siç ka raportuar në Polici, ai vërejtur se afër tij ishte një person i maskuar me armë në dorë, të cilën ia kishte drejtuar, por nuk kishte arritur të gjuante.
“Ankuesi ka raportuar se deri sa ishte duke hyrë në një lokal kishte vërejtur afër tij një person të maskuar me një armë në dorë të cilën ia kishte drejtuar viktimës, por nuk kishte arritur të gjuante. Njësit policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Zëvendësministri Radomiroviq përmes një postimi në Facebook ka thënë se në rast është i përfshirë edhe Milan Radoiçiq, i njohur si prijësi i sulmit në Banjskë.
“Ngjarja tragjike s’ka ndodhur pasi sulmuesit i kishte dështuar arma e tipit ‘Scorpion’. Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit dhe Radoiçiqi e kaubojët vendas, Slavko Simiq e Zoran Todiq…Dihet gjerësisht se unë e Marko e mbështetëm Aleksandar Jabllanoviqin për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq. Pasi Jabllanoviq u dakordua në Beograd me Aleksandar Vulinin, Vuçiqin dhe anëtarin e BIA-s, Dimiqin, që për pak para dhe privilegje të tërhiqej si kandidat për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Marko dhe Navili tentuan t’i rifitonin dinjitetin e nevojshëm dhe të merrnin jetën në duar”, ka shkruar ai në Facebook.