Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka konfirmuar për agjencinë sllovene të lajmeve STA se është i interesuar për pozicionin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin ai do të pasonte Miroslav Lajçakun, mandati i të cilit përfundon në gusht.
Ai i tha agjencisë STA se është i interesuar të zëvendësojë Lajçakun.
Paraprakisht, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka deklaruar se e mbështet pa kushte Pahorin në kandidaturën e tij për postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog
I dërguari special, i cili përveç dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, merret edhe me çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, propozohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme.
Pahor është i njohur për avokimin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe për faktin se insistoi në përmbushjen e marrëveshjeve të Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.