Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëprit nga myftiu Naim Tërnava.
Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti uroi të gjithë besimtarët dhe theksoi se muaji i Ramazanit, është muaj i sakrificës edhe i solidaritetit, teksa nënvizoi se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.
Ai gjithashtu e falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin.
Këtë pranverë, që këtë vit përkon edhe me festën e Fitër Bajramit, kryeministri veçoi se çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin e Kosovës, si dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë feste të bekuar dhe të rëndësishme për të gjithë besimtarët, kryeministri Kurti përkujtoi edhe 37 imamët të cilët kanë rënë dëshmorë të kombit, në luftën e fundit në Kosovë.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Të gjithë qytetarëve ju dëshiroj Bajram të gëzuar, në paqe dhe në begati, me shëndet dhe me dashuri.
E falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Naim Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin.
Muaji i Ramazanit, ishte muaj i sakrificës edhe i solidaritetit dhe të gjithë e dimë nga përvoja dhe historia se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.
Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë, në vendin tonë, por njëkohësisht edhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë, të cilët janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit.
Lavdi të gjithë atyre.
Edhe një herë gëzuar Fitër Bajramin për jetë e mot dhe ju uroj një ditë të hareshme sot.
Faleminderit!