Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se në mesin e të plagosurve nga sulmi në Finlandë në një shkollë është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.
Në njoftim bëhet e ditur se MPJD-ja, përmes ambasadës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet finlandeze dhe me familjen e vajzës së plagosur.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Këtë të martë, një nxënës 12-vjeçar ka vrarë një fëmijë dhe plagosur dy të tjerë, në mesin e tyre dhe vajzën nga Kosova.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të vajzës, por sipas raportimeve të Reuters, gjendja e dy fëmijëve të plagosur është e rëndë.