Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, ka ngritur aktakuzë kundër ish-prokurorit Metush Biraj për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit” dhe të pandehurve Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”,. ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
I njëjti u pasua me hulumtimin “Shkodran Pulaj, protagonisti i pazarllëqeve me gjykatës, prokurorë e policë”, më 2 mars 2024, mbi dyshimet për gamën e ndikimit të të akuzuarit Shkodran Pulaj tek individë të ndryshëm brenda sistemit të drejtësisë në Prizren. Aty shpërfaqen bisedat e shkruara mes atëherë të akuzuarit për narkotikë Naim Osmani me Shkodran Pulajn, ku Osmani i konfirmonte Pulajt dhënien e ryshfetit prokurorit të atëhershëm, Metush Biraj.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.
“Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale”, thuhet më tej.
Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Lidhur me këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me prokurorin Isuf Sadiku, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, mirëpo as ai nuk është përgjigjur./Betimi per Drejtësi/