Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bërë homazhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, e janë zhvilluar aktivitete tjera nga Ministria e Mbrojtjes.
Me këtë rast, krerët e shtetit nderuan sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.
“Sa herë vjen 5,6 dhe 7 marsi kujtesa jonë rikthehet te ditët e krenarisë dhe lavdisë ku në Prekazin heroik u zhvillua beteja historike. Një armatë e tërë vrastare kundër një familje të vetme. Kulla e tyre ishte Kosova. Epopeja e Prekazit dhe flijimi i tyre ndryshoi zhvillimin e kursit për liri e pavarësi. Me mijëra vajza e djem iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë të lavdishme ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me kushtetutë e institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta. Ne do ta mbrojmë lirinë dhe paqen me çdo kusht”, deklaroi shefja e shtetit, Vjosa Osmani./RTK/