Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se në takimin dylapesh dhe trepalesh në Bruksel ata kanë informuar për mundësitë që ofron Rregullorja e re e BQK-së për transferim të mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë, por se ajo mbetet në fuqi dhe nuk ndryshohet.
Ai ka theksuar se janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdoje “financimi i qytetarëve serbë nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar tek Banka Popullore e Serbisë”.
“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet”, ka thënë Ismaili, në një përgjigje për KOHËN.
Ndërkohë në një deklarim për gazetarë pas takimit ai ka thënë se Rregullorja mundëson transferimin e fondeve në mënyrë legale, përmes kanaleve bankare në llogari të përfituesve në euro.
“Diskutimi ka qenë lidhur me propozimin tonë që kohë më parë ja kemi dërguar Bankës Qendrore të Serbisë, ku kemi shprehur gatishmërinë që të lehtësojmë një prej zgjidhjeve që ekzistojnë për transferimin e mjeteve. Askush nga BE-ja nuk e ka vënë në dyshim mandatin dhe autoritetin e BQK-së për ta rregulluar këtë çështje apo mënyrën se si e ka rregulluar, por sigurisht brengat që i ka paraqitur është ndikimi në një komunitet të caktuar”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se BQK-ja nuk ka negociuar dhe nuk ka qenë e përfshirë në proces të negocimit.
Sipas tij, ata vetë kanë informuar gjerësisht për Rregulloren dhe ndikimin e saj pozitiv për ekonominë e vendit.
“Me udhëzimin e BE-së ne u takuam edhe me delegacionin teknik nga Serbia. Nuk ka pasur prezencë politike në takim. Ne kemi dhënë kontributin tonë që të kuptohet drejtë nga Bashkimi Evropian. Po ashtu edhe zgjidhjet teknike janë të mundshme dhe të zbatueshme pa asnjë ndryshim të asnjë rregullative ligjore. Në këtë mënyrë ekziston mundësia që qytetarët serbë të pranojnë ndihmën nga Serbia nëse ajo vendos t’i transferojë ato”, ka thënë ai.
Ismaili ka deklaruar se çështja e dinarit nuk ka qenë çështje e diskutimit, por është diskutuar Rregullorja në tërësi.
Guvernatori ka thënë se BQK-ja nuk negocion me asnjë palë të jashtme as të brendshme rregullimin e saj monetar dhe financiar.
Sipas tij, nuk është pritur të negociohet, por të argumentohet zgjidhja.
“Zgjidhja ekziston dhe funksionon, përmes zgjidhjes teknike që nënkupton transferimin mes dy shteteve, pra transferimin e mjeteve nga Serbia në Kosovë përmes kanaleve zyrtare. Edhe ky takim më shumë është bërë për shkak të nevojës për t’u sqaruar sesa ka pasur nevojë të ndodhë. Ne edhe pse kemi pritur që Banka Qendrore e Serbisë të jetë prezent, si duket delegacioni i tyre përmes Ministrisë së Financave e ka mbuluar këtë çështje. Ne si BQK e kemi përfunduar punën tonë dhe është në dorën e dërguesit të mjeteve se cilin opsion të ligjshëm ta përdorë”, ka thënë Ismaili.