Është bërë dorëzim-pranimi i dokumenteve të para në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga sot secili mund të dorëzojë materiale të mbledhura mbi krimet e ndodhura gjatë luftës, e që Instituti do t’i arkivojë.
“Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë kemi themeluar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë. Krahas institucioneve shtetërore, nga sot dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm. Mediat, gazetarët e qytetarët kanë institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen, do t’i shërbejnë institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Që sot ju ftoj të bashkoheni në këtë nismë. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen, që ta ndërtojmë një shoqëri më paqësore”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se ky vit shënon 26 vjetorin e një prej kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë, krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë, por se festojmë edhe 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë të arritur me mund e sakrifica.
