Home LAJME Vjosa Osmani: Republika jonë po konsolidohet çdo ditë

Vjosa Osmani: Republika jonë po konsolidohet çdo ditë

0
Vjosa Osmani: Republika jonë po konsolidohet çdo ditë

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj para deputetëve në përvjetorin e 16-të të shtetësisë ka theksuar se 17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike, teksa ka falënderuar partnerët dhe aleatët ndërkombëtar, e në veçanti SHBA-në për mbështetje në rrugën drejt lirisë e shtetndërtimit.

“17 Shkurti është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja e harmonia janë thelbësore për suksesin tonë. Republika jonë po konsolidohet  çdo ditë, duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e vet në botë”, ka theksuar Osmani.

Ajo tutje theksoi se për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal.

“Ky ideal i rrëmbeu zemrat, e shumë herë edhe jetët e brezave të tërë, të etërve tanë, të nënave, motrave e vëllezërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, të cilët dhanë shumë për këtë tokë dhe e mbajtën ndezur flakadanin e lirisë deri te brezi ynë. E ne do ta shpjermë tutje sepse liria nënkupton për ne vetë karakterin e ekzistencës njerëzore”, ka nënvizuar Osmani.

17 Shkurti po aq sa është datë unike për datën e saj historike, është po kaq shumë e veçantë në rrafshin emocional, tha presidentja Osmani, duke u shquar si dita që na përbashkon rreth një kauze – dashurisë për Republikën dhe përkushtimit për ta ngritur lart emrin e saj.

“Rrugëtimi ynë i shënuar nga sfidat dhe triumfet është dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor dhe është një histori që vazhdon të zhvillohet  çdo ditë që kalon. Përkundër vështirësive shekullore, ne rezistuam dhe e mbajtën kokën me shumë krenari e vendosmëri lart, jo vetëm duke u shpërfaqur si shembull i shtetndërtimit, i rrënjosur në vlerat demokratike, por edhe duke u zotuar se çdo ditë e re do të na gjejë më mirë se dita paraprake. Kosova sovrane është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët. Prandaj, le ti gëzohemi lumturisë që sjell fakti se ne jemi popull i lirë mes popujsh të lirë”, ka shtuar e para e shtetit.

Ajo tutje theksoi se sot i përulemi së pari brezave që iu dedikuan lirisë. “Le ta bashkojmë fuqinë tonë në kujtim të etërve themelues, të grave e burrave, të bijve e bijave të kësaj toke të cilët sakrifikuan gjithçka, që nuk u dorëzuan që pavarësisht se historia u soll pabesisht  me ta”, ka nënvizuar Osmani.

Tutje presidentja ka falënderuar në mënyrë të veçantë aleatët ndërkombëtar, të cilët ndihmuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. “Në mënyrë të veçantë duhet t’u falënderohemi miqve tanë të lirisë. Ju ishit me ne përgjatë rrugëtimit tonë kur na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për liri, kur u çliruam e kur ndërtuam shtetin tonë dhe institucionet tona demokratike. E ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë dhe të demokracisë sonë. Ndër këto aleanca, aleanca jonë me SHBA-në qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë, ndërkaq rrugëtimi ynë drejt institucioneve atlantike është e paalternativë”, ka thënë ajo.

Duke folur për agresionin e shtatorit të kaluar në Banjskë nga Serbia, presidentja tha se djemtë dhe vajzat e Kosovës në uniformë treguan përkushtim të madh në mbrojtje të atdheut.

“Lë të jetë e qartë se prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në vitin 1999, kur qiellin e Kosovës e poshtoi fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit, djemtë e vajzat tona në uniformë kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur e mbajtur të lirë vendin e tyre. Ata kanë dëshmuar se atdhedashuria është virtyt, e virtyti kërkon edhe sakrificë. Heroi Afrim Bunjaku dha jetën e vete për t’i dhënë jehonë kumbuese motos ‘Kosovë ne të dalim Zot, sot e përherë’”, tha presidentja Osmani./RTK/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here