Mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës janë vendosur grafite të reja me mesazhin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.
Ky grafit është vendosur në murin e një prej objekteve të banimit në qendër të qytetit në veri të vendit.
Grafite të tilla raportohet se janë shkruar edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.
Kujtojmë se situata në veri vazhdon të jetë e brishtë që kur ndodhi sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ditë më parë i tha Telegrafit, se nuk e kishin paraprë të ndodhte një sulm i tillë në Banjskë, derisa shtoi se janë të përgatitur për t’iu përgjigjur çfarëdo situate.
“Ne kemi paraparë që do të ketë probleme. Kemi paraparë që do të ketë konfrontim me armë. Kemi paraparë që mund të sulmohen patrullat policore dhe policë në përgjithësi. Po nuk e kemi paraparë një Banjskë të asaj përmase. Kështu që tash, në bazë të asaj çka kemi pa dhe në bazë të përvojës që e kemi nuk na çuditë nëse ndodh një rast i tillë. Pa marrë parasysh për neve me rëndësi është se si i përgjigjemi situatave të tilla. Kështu që ne jemi të përgatitur që t’i përgjigjemi çfarëdo situate në veri të vendit”, tha Elshani. /Telegrafi/
“Kur të kthehet ushtria në Kosovë, jeton Brigada e Veriut” janë grafitet e reja që kanë pushtuar mëngjesin e së dielës, katër komunat në veri të vendit.
Përveç në veri të Mitrovicës, grafite të tilla janë shkruar edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Të njëjtat janë shkruar në cirilik, me ngjyrë të kuqe dhe të kaltër që përkojnë me ngjyrat e flamurit të Serbisë.
Këto grafite siç duket janë shkruar nga “Brigada e Veriut” e cila nga Qeveria e Kosovës është shpallur organizatë terroriste së bashku me organizatën tjetër të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”.
Lidhur me këtë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Telegrafin se kanë hapur rast.
“Kemi hapur rast, nuk ka ende persona të dyshuar”, tha ai.
Grafite me përmbajtje të ngjashme janë shkruar për vite të tëra në veri. /Telegrafi/