Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vendimi për të ndaluar përdorimit e dinarit serb në territorin e Kosovës është i ngjashëm më atë të targave të veturave, që si çështje u zgjodh këtë vit.
Ajo ka thënë se janë duke u bërë diskutime edhe me vendet aleate, ndonëse ka mohuar se zbatimi I vendimit mund të shtyhet.
“Nuk po aludoj në shtyrje. Po aludoj në diskutime që janë duke vazhduar dhe jam e bindur se do të gjendet një zgjidhje praktike dhe jo vetëm të kemi dokumente që pastaj të sfidohet. Aleatët nuk janë kundër Kushtetutës tonë”, ka thënë Osmani para gazetarëve, njofton KlanKosova.tv.
“Neni 11 i Kushtetutës thotë se Kosova mund ta ketë vetëm një valutë në qarkullim. Banka Qendrore e Kosovës e ka kryer punën e vetë sipas parimit të pavarësisë”.
“Aleatët për targat na patën kërkuar që të shtyhet një kohë që kur të hyjë në praktikë të zbatohet. Ky është problem i ngjashëm. Edhe ajo e targave ka qenë çështje e mbrojtjes së sovranitetit. Për të pasur zbatim të plotë na duhet përkrahja e aleatëve”.