Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca kanë pritur sot në takim krerë të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë takim ishin Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe kryetar i Komunës së Gostivarit dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN): Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA e kryetar i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, si dhe Afrim Gashi, kryetar i Alternativës dhe deputet.
Mexhiti në një deklarim për Radiotelevizionin e Kosovës tha se edhe Vetëvendosje është pjesë e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim, që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.
“Kësaj radhe kemi një opozitë të konsoliduar e cila ofron një konkurrencë me programe, ide kundrejt partive që janë pjesë e qeverisë, partive shqiptare. Kjo është Lidhja Evropiane për Ndryshim ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Alternativa dhe Vetëvendosja. Sa i përket Vetëvendosjes nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoni dhe de jure nuk funksionon, por ne do të kemi listë të përbashkët të deputetëve në kuadër të Lidhjes Evropiane, ku do marrim pjesë nga partitë e ndryshme” – tha ai.
Mexhiti, i cili e quajti këtë takim “vëllazëror për bashkërendim të aktiviteteve”, shtoi se po punojnë për programin bashkë me ekspertë nga LVV, siç janë Arbër Zaimi, Elvis Hoxha dhe Bekim Qoku, i cili është këshilltar i Kurtit për Maqedoni.
Komunikata e Zyrës së Kryeministrit për këtë takim nuk ka përmendur asgjë lidhur me pjesëmarrjen e LVV-së në këtë koalicion, por ka shkruar se në këtë takim ka marrë pjesë edhe Bekim Qoku.
Sipas kësaj komunikate, ata folën për situatën në Ballkan, fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.