Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje ushtarake me Turqinë.
Maqedonci përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se kjo marrëveshje është bërë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime
“Nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë me Republikën e Türkiye. Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, me pritje ceremoniale filluam takimin i cili përfundoi me një të arritur shumë të rëndësishme të përbashkët, nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime”.
“Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre. Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, thuhet në postimin e tij.