Deputetët e Turqisë të martën kanë aprovuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke larguar një pengesë të madhe që shteti skandinav t’i bashkohet aleancës, raporton agjencia “AP”.
Deputetët turq kanë aprovuar protokollin për anëtarësim të Suedisë në aleancën ushtarake me 287 vota për dhe 55 kundër. Katër abstenuan. Ratifikimi do të hyjë në fuqi pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodhë së shpejti.
Pasi Turqia ka aprovuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, Hungaria do të mbetet vendi i vetëm anëtar në NATO që nuk e ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë.
“Sot jemi një hap më afër që të bëhemi anëtar të plotë në NATO”, ka shkruar kryeministri suedez Ulf Kristersson në platformën “X”.
Ambasadori i SHBA-së në Turqi, Jeff Flake, ka mirëpritur vendimin e Parlamentit të Turqisë që ta miratojë anëtarësimin e Suedisë.
Turqia, që është anëtare e NATO-s, po e bllokonte anëtarësimin e Suedisë në aleancë për më tepër se një vit. Turqia e akuzonte Suedinë se ka qasje tepër të butë karshi grupeve që Ankara i sheh kërcënim të sigurisë. Po kërkonte koncesione, përfshirë edhe masa më të rrepta ndaj militantëve kurdë dhe anëtarëve të rrjetit që Ankara i fajëson për puçin e dështuar në vitin 2016.
Muajin e kalura, Komiteti për Punë të Jashtme në Parlamentin e Turqisë dha pajtimin që kandidatura e Turqisë të kalojë për debat e votim në Kuvend, pasi që fillimisht presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e dërgoi protokollin te deputetët për aprovim.
Hungaria ka mbetur shteti i vetëm që po bllokon anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Hungaria ka akuzuar politikanët suedezë për “gënjeshtra” në lidhje me gjendjen e demokracisë në shtetin hungarez.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të martën ka thënë se i ka dërguar letër homologut të tij suedez Ulf Kristersson, duke e ftuar atë në Budapest që të diskutojë për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Për t’u anëtarësuar një vend në NATO duhet të miratohet unanimisht aplikimi nga gjitha shtetet anëtare.
Aktualisht janë 31 shtete anëtare në NATO. Finlanda ishte e fundit që u anëtarësua, në prill të vitit të kaluar.