Industria gjermane e automjeteve po përballet me transformimin më të madh në historinë e saj. Ka paralajmërime për largimin e punëtorëve.
Fabrika e veglave teknike Paul Horn GmbH në Tübingen prodhon vegla precize teknike dhe speciale që nga viti 1969, shpesh të bëra me porosi për proceset specifike të punës në një fabrikë.
Klienti i saj më i rëndësishëm është industria e automobilëve. Drejtori Matthias Rommel nuk do ta harrojë kaq shpejt vitin 2023: “Ishte një vit i jashtëzakonshëm”. Rommel i referohet këtu turbulencave të mëdha ekonomike. “Ne patëm një fillim të shkëlqyer në industri, rezultatet në gjysmën e parë të vitit ishin shumë të mira.”
Por muajt e fundit kanë qenë të vështirë. Mungonin porositë, efektet e inflacionit ishin të dukshme në fabrikë. “Për mua, ishte një vit i rritjeve ekstreme, të paplanifikuara dhe pjesërisht kaotike të kostove,” thekson Rommel.
Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra punëtorë
Disponimi në Gjermani, i njohur si vendi i makinave, është i përzier. Ndërsa prodhuesit Volkswagen, Mercedes dhe BMW njoftuan rritje të shitjeve për periudhën nga janari deri në shtator 2023 dhe eksportet e makinave dhe regjistrimet e reja ishin përsëri në rritje, furnitorët u ankuan për rënien e prodhimit dhe eliminimin masiv të vendeve të punës në industri.
“Tani po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë do të thotë në të vërtetë ky transformim,” thotë eksperti i kësaj industrie Stefan Bratzel nga Qendra e Menaxhimit të Automobilave në Bergisch Gladbach. Ai nuk është i befasuar nga mbyllja e fabrikës për prodhimin e veglave për industrinë e automobilëve ZF Friedrichshafen.
“Nëse elektromobiliteti fiton rëndësi, do të ketë pasoja për vendet e punës në të gjithë industrinë,” thotë Bratzel, i cili pret që deri në 160.000 vende pune të humbasin përmes këtij transformimi. Por parashikimi i tij nuk është diçka e re. Në vitin 2024, beson Bratzel, kjo tendencë do të përkeqësohet edhe më shumë.
Ndryshimet e domosdoshme
Prodhuesit gjermanë duhet të zhvillohen shumë më shumë në drejtim të kompanive për softuerë, mendon eksperti. “Softueri do të jetë një pjesë thelbësore e krijimit të vlerave të reja. E gjithë kultura e korporatës duhet të ndryshojë në përputhje me rrethanat. Prodhuesit e njohur të makinave po përballen me kohë jashtëzakonisht të vështira.”
Nga njëra anë, për shkak se për shumë vite duheshin shërbyer dy modele biznesi: përveç sektorit të motorëve me djegie të brendshme edhe sektori i ri i elektromobilitetit. Nga ana tjetër, kompanitë e mëdha duhet të mësojnë të përballen me kushtet e reja në treg. ” E gjithë Gjermania është tani në thelb në transformim. Industria gjermane e makinave sërish duhet të marrë iniciativën,” beson Bratzel.
Konkurrenca nga Azia
Eksperti është i sigurt se një prej problemeve më të mëdha është konkurrenca nga Azia. Një studim aktual, i kryer nga kompania konsulente Roland Berger dhe banka e investimeve Lazard, vjen në përfundimin se prodhuesit dhe furnitorët aziatikë janë ndër fituesit në treg.
Prandaj, ata përfitojnë nga “elektrifikimi dhe digjitalizimi i trenave – teknologji në të cilat prodhuesit në Azi janë përqendruar për një kohë të gjatë dhe janë më të kërkuara”. Autorët e “Studimit Global të Furnizuesve të Automobilëve” janë të bindur se tregu i furnitorëve në këtë industri do të vazhdojë të rritet, “por me komponentë të ndryshëm, me klientë të ndryshëm dhe për furnitorë të tjerë”
Fabrika Paul Horn nga Tübingeni po monitoron nga afër tregun dhe po investon gjithnjë e më shumë jashtë vendit, pasi, për shembull, prodhimi i pjesëve të automjeteve për motorët me djegie të brendshme po zhvendoset në Evropën Lindore. “Ne ndjekim klientët tanë,” thotë CEO Rommel.
Gjermania po përballet aktualisht me tendencat e reja. “Nëse duam të bëhemi përsëri më të suksesshëm në 10 deri në 15 vitet e ardhshme, duhet të jemi gati për atë që do të ndodhë në treg”.
Për të arritur këtë duhet të bëhen investime më të mëdha, thotë ky ekspert. Ai sheh shanse të mira në segmentin e drejtimit të automatizuar dhe autonom të makinave. Sipas tij, prodhuesit gjermanë tashmë po prijnë në këtë segment.
Situata në fabrikën Paul Horn gjatë vitit 2024 pritet të mbetet e tensionuar. Drejtori Matthias Rommel do të jetë i kënaqur nëse nuk do të ketë rënie të mëtejshme në shitje. “Jemi të detyruar të jemi optimistë”, thotë Rommel./DW/