Xhavit Dakaj nga Korisha, dje në mëngjes ishte nisur për në Itali së bashku me vëllaun e tij, Hasanin, i cili është arrestuar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare. Ai ndjehet i shqetësuar për arrestimin e vëllaut të tij, pasi policia e kishte arrestuar atë si ish veteran i UÇK-së, dhe pa asnjë arsye tjetër.
Ai më tej thotë se gjatë arrestimit, nuk ka mundur të shoh se a është përdorë dhunë ndaj vëllaut të tij, ndërsa shton se atij i është thënë se Hasanin do ta dërgojnë në Kurshumli dhe më pas në Beograd. Ai thotë më tej se rastin e ka lajmëru në Policinë e Kosovës, pasi është khtyer nga rruga dhe familja kanë angazhuar një avokat. Gjithashtu e ka vlerësuar reagimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, për lirimin e vëllaut të tij, dhe se rastin e ka përjetuar shumë rëndë. Lidhur me arrestimin e Hasan Dakajt, ka reaguar edhe bashkëluftëtari i tij, Burim Ukimeri, duke e quajtur si akt agresiv të shtetit serb ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së.
Rastin e ka dënuar edhe sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, i cili ka kërkuar angazhime konkrete nga institucionet tona, për lirimin sa më të shpejt të veteranit, Hasan Dakaj, si dhe ka sygjeruar bashkëluftëtarët që të mos lëvizin nëpër Serbi edhe pas liberalizimit të vizave. Ditën e djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar lidhur me rastin, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë që Serbia ta lirojë Hasan Dakajn, ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e ka arrestuar të premten në mëngjes.
MPJD-ja ka thënë se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë dhe se ka njoftuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në Serbi.