Qendra Zvicerane e Arbitrazhit ka marrë vendim lidhur me padinë e kompanisë “Paykos” ndaj Telekomit të Kosovës. Vendimi që është marrë më 22 dhjetor të vitit të kaluar e obligon kompaninë “Paykos” që t’i paguajë Telekomit të Kosovës 1.4 milionë euro, ndërkohë që Telekomi detyrohet që t’i paguajë “Paykosit” 850 mijë euro.
Vendimi lidhet me marrëveshjen e partneritetit në mes tyre, për shitjen, disbursimin dhe promovimin e mbushjeve Pre-Paid të “Valës”, e cila është nënshkruar në vitin 2015.
Sipas një komunikatë të Telekomit vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me “Paykosin” dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës.
“Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër! Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron ‘Paykos’ t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro”, thuhet në njoftimin e Telekomit për këtë vendim.
Sipas tyre janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.
“E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim ‘Paykos LLC’ dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë ‘Paykos’ pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka iniciuar një proces të dytë. Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim”, thuhet në njoftim.
Lidhur me kontratën mes Telekomit dhe “Paykosit”, në maj të vitit të kaluar Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lidhje e kontratës së dëmshme”.
Me këtë kontratë, Mustafa akuzohet se i ka shkaktuar Telekomit një dëm prej afro 7 milionë eurosh.
Në një njoftim të lëshuar nga Prokuroria atëherë thuhej se Mustafa, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes, ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të Telekomit.