Kryeministri i vendit, Albin Kurti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar sërish qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.
Para mediave, Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë, transmeton Telegrafi.
“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.
Cilat dokumente udhëtimi nevojiten për të shfrytëzuar udhëtimin pa viza në zonën Shengen?
√ Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);
√ Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;
√ Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;
√ Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;
√ Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;
√ Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare./Telegrafi/