Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Shengen. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë thënë se janë të përgatitur për këtë numër të udhëtarëve, por se janë duke investuar edhe në hapësira të reja për çfarëdo fluksi tjetër të mundshëm. Ndërsa, qytetarët janë shprehur të lumtur për këtë mundësi që tashmë e ka Kosova.
Me lule e përqafime disa qytetarë i kanë pritur më të afërmit e tyre, tek kanë ardhur nga jashtë për të festuar Vitin e Ri në vendlindje.
E shumë të tjerë, në ditën e fundit të këtij viti, po shkojnë të festojnë në vende të tjera.
Isuf Sadikaj, po merr rrugën për Itali, pasi qëndroi për 10 ditë në Kosovë, mirëpo natën e Vitit të Ri do ta kalojë me më të afërmit.
“Meqenëse familjen e kam atje, fëmijët, gruan, vendosa që më mirë të shkoj atje, kam qëndruar këtu për 10 ditë”, ka thënë Isuf Sadikaj, qytetar.
Ai thotë se do ta mbajë derën e hapur për të afërmit që duan ta vizitojnë.
“Deri tash i kam pritur dhe përcjellë, besoj që jam ai që kam qenë gjithmonë”, ka shtuar ai.
Fakete Ahmetaj e cila mbërriti nga Gjermania, shpreh entuziazmin që do t’i kalojë festat në Kosovë.
“Na presin familjarët, nëna, vëllezërit, fëmijët i kam këtu, kanë ardhur qe tre ditë. Menzi presim që t’i kalojmë festat e fund vitit këtu”, ka thënë Fakete Ahmetaj qytetare.
E Valentina Gara, zëdhënëse në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka thënë që janë përgatitur për më shumë fluturime që nga janari.
“Ne kemi diku të parapara rreth 500 fluturime më shumë vetëm në janar, në krahasim me janarin e këtij viti. Kështu që në si aeroport kemi marrë të gjitha masat e duhura për procesimin e duhur të këtyre udhëtarëve”, ka thënë Gara.
Që nga e hëna, qytetarët me pasaportë kosovare mund të shkojnë në vendet e zonës Shengen pa viza.
Megjithatë, ka disa rregulla që duhet të ndiqen, në të kundërtën, pason gjoba ose ndalesa e hyrjes. Me heqjen e vizave, qytetarët mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda 6 muajsh në zonën./koha.net/