Dy persona janë gjetur të vdekur të hënën në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se vdekja e çiftit është konfirmuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, e aty kanë dalë edhe ekipet e tjera relevante.
“Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes, vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor. Dyshimet e para thonë se vdekja është shkaktuar nga rryma elektrike, ende s’është e konfirmuar. Janë bashkëshortë”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, i tha KOHËS se trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.