Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se mjedisi i sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e fundvitit të postuar në “X”, Stoltenberg ka thënë se po jetojmë në një botë të rrezikshme dhe NATO-ja po punon për ta ruajtur paqen.
“Jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e shkallës së plotë në Evropë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. S’mund të ketë siguri pa mbrojtje të fortë. Dhe nuk ka mbrojtje të fortë pa ushtri të afta…”, ka thënë ai në hyrje të fjalimit.
“Ndihma për të ruajtur një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë, është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Stoltenberg.
Shefi i NATO-s falënderoi të gjithë trupat e aleancës që po bëjnë përpjekje për ruajtjen e paqes në pjesë të ndryshme të botës, duke thënë se kanë rritur gatishmërinë “jo për të provokuar luftë, por për të parandaluar konflikte”.
”Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri. Shërbimi i tyre na mban pa rreziqe, të sigurt dhe të lirë. Gëzuar festat dhe urimet më të mira për Vitin e Ri”, ka deklaruar Stoltenberg.