Në prag të zgjedhjeve në Serbi, drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe i sanksionuari i ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Mila Radoiçiq janë të lidhur fort me njëri-tjetrin dhe se të dy do të përmbysen. Derisa ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Telegram, ku faqja “patriotizamsrb” ka një paranojë në mes të grupeve që akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti.
Musliu ka shkruar në Facebook se Vuçiq buk do ta sundojë edhe gjatë Serbinë.
“Megjithëse së bashku mund të sundojnë më gjatë, kur të përmbysen do të përmbysen që të dy. Ndoshta atëherë Perëndimi do ta shohë qartë Serbinë. Ballkani Perëndimor dhe vet qytetarët e Serbisë meritojnë stabilitet të qëndrueshëm. Nuk mund të ledhatohet një njeri si Vuçiqi. Ai nuk është asgjë më shumë sesa një pasardhës i Millosheviqit. Këtë e di shumë mirë edhe ambasadori Kristofer Hill, i cili e njeh mirë Vuçiqin, ashtu siç e ka njohur Sllobodan Millosheviqin”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar në ditët e fushatës zgjedhore ne Serbi, ka një përçarje mes shërbimit sekret dhe klerikëve fetarë.
Ai theksoi se faqja serbe në Telegram “patriotizamsrb” është munduar të shfajësoj më kot Vuçiqin nga përgjegjësia që ka për agresionin e 24 shtatorit nga Kosovës, pasi siç tha ai, terroristët që provuan ta okupojnë veriun e Kosovës, kishin ushtruar në poligone të ushtrisë serbe në Serbi.
“Faqja serbe në telegram, e quajtur ‘patriotizamsrb’, po shfaq zemërimin e thellë të kriminelëve të veriut të Kosovës me, siç e quajnë ata ‘tradhtinë e Vuçiqit’. Duke e vërejtur se po përmbyset, Radoiçiqi si duket nuk do ta lëshojë dorën e Vuçiqit. Nuk dihet saktë se cilët janë aktorët e kësaj përplasjeje. Cilën anë e mban shërbimi sekret dhe cilën anë e mban kisha. Por, një gjë dihet – edhe shërbimet sekrete serbe, e edhe klerikët fetarë në Serbi janë të përçarë. ‘Patriotizamsrb’ thotë se, ‘pas masakrave të tmerrshme në shkollën fillore Vladislav Ribnikar dhe Mlladenovc, ku u vranë dhjetëra fëmijë e të rinj serbë, nis operacioni i dorëzimit të armëve. Ky veprim përbën bazën për gatishmërinë e ardhshme të grupit serb. Shumica e armëve, u transferuan me sukses përmes Milan Radoiçiqit në veri të Kosovës. Këto veprime strategjike synojnë të forcojnë pozitën e grupit’”.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë po ashtu se në faqen serbe të lartpërmendur thuhet se shërbimi sekret serb e ka ditur se Radoiçiqi do ta sulmonte Kosovën, porse shërbimi sekret britanik i ka tradhtuar ata, duke treguar për planet.
“Është e vërtetë se Kosova ka pasur informacione paraprake për përgatitjen e një sulmi të tillë të Serbisë në Kosovë. Dhe, këtë e ka marrë nga resurset e veta informative – AKI dhe Policia e Kosovës. Jo se Kosova nuk ka bashkëpunim me shërbimet perëndimore, por sepse Kosova ka dëshmuar se ka burime të informacionit edhe në mes të strukturave të sigurisë në Serbi”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Sipas Musliut, vetëm pas demokratizimit të Serbisë do të ketë paqe të mirëfilltë në rajon.