Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se vrasja e Liridona Ademjat është krim i rëndë dhe femicid, për të cilin kërkohet drejtësi.
Ajo në mbledhja e këshillit të përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendosje, tha se Liridona u vra si pasojë e femicidit e cila për fat të keq është prezent në shoqërinë tonë, raporton KosovaPress.
“Pabarazia gjinore e rrënjosur thellë në strukturën shoqërore herë pas here na shpërfaqet në mënyrën më monstrume siç ishte edhe rasti i fundit i vrasjes së Liridonës. Burrat patriarkal po i vrasin gratë, gratë po vriten nga burrat apo partnerët e tyre, ky është krim i rënd , ky është femicid, për këtë rast dhe për secilin rast kërkojmë drejtësi….kushdo që me ose pa vetëdije i hyn diskutimit pse një burrë ushtron dhunë ose pse një burrë vret një grua, është duke tentuar ta justifikoj dorasin, është duke tentuar ta normalizoj dhunën dhe të tillë që e fajësojnë viktimën janë në anën e dhunuesve”, ka thënë ajo, duke shtuar se si ministri kanë ndërmarrë shumë aktivitete kundër dhunës dhe femicidit.