Kurti gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, është pyetur nëse do të ketë takim në mes tij dhe Vuçiqit gjatë muajit dhjetor në Bruksel, gjë që Kurti tha se nuk është në dijeni nëse do të ketë një të tillë.
“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të planifikuar por ju e keni të qartë se unë si kryeministër, Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë qenë gjithmonë të përkushtuar, konstruktive, kreative por nga sulmi terrorist, kriminal në Banjskë të Zveçanit, ne duhet të theksojmë se prioritet i shtetit të Kosovës është siguria. Është siguria e kufijve, ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por nuk mund të kemi normalizim pa pasur siguri, e siguria nënkupton që kriminelët terroristët nuk duhet të jenë të lirë si fatkeqësisht po ndodhë në Serbi. Ndërkaq, kufiri i Kosovës i cili është 881 kilometra vetëm në pjesën në Serbi, duhet të jetë i sigurt, andaj edhe për mbrojtjen e tij po angazhohemi në institucionet tona të sigurisë por edhe me partnerët tonë ndërkombëtarë”, u shpreh Kurti.
E për paralajmërimin e Miroslav Lajçakut lidhur me marrëveshjen për energjinë, tha se të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër tash gati dy vjet.
“Ajo është dashur të kryhet në vitin 2021, meqë nuk u kryer në vitin 2021, është dashur të kryhet në vitin 2022, meqë nuk u krye as në vitin 2022, ka mbetur edhe një muaj i vitit 2023, të kryhet. Sa na përket neve jemi shumë të interesuar, por të gjitha vonesat dhe sabotimet bëhen nga pala tjetër në vazhdimësi tash më shumë e tash dy vjet”, shtoi Kurti.
Kurti ka qëndruar të premten në Gjilan për të parë nga afër projektet e realizuara dhe ato që pritet të përfundojnë më 2024./ KP