Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, e ka prezantuar sot Planin e Rimëkëmbjes për Shëndetësi në Gjilan.
Hoxhaj nga atje ka shtuar se ai do të jetë kryeministër i Kosovës, pasi që, sipas tij, vendi ka nevojë për një kryeministër që i ruan marrëdhëniet me të gjitha shtetet mike.
“Ne nuk mund të kemi kryeministra ku njëri merr në thua dhe na prish me Europën – qysh na pati prishur Ramush Haradinaj. Ia merrke mendja që mund të shtyhet me Angela Merkel dhe me Emmanuel Macron dhe i la të rinjtë dhe të rejat e Gjilanit, si dhe krejt qytetarët e Kosovës pa viza. Apo Albin Kurti i cili na prishi me Amerikën. Ne nuk jemi Kina, Rusia, apo Gjermania që të mund ta bartim këtë barrë. Neve na duhet një politikë e mençur. Ne duhet t’i ruajmë arritjet që i kemi arritur deri tash bashkë”.
Ai në Gjilan ka takuar pensionistët e kësaj komune të cilëve iu ka premtuar se gjatë mandatit të tij do të ketë rritje të pensioneve në bazë të kategorive duke filluar nga 30 përqind.
Kjo rritje, sipas tij, nuk është premtim i fushatës, por është zotim i tij.
“Në emër të qeverisë, që do ta udhëheq unë, do të ketë rritje të pensioneve 30 deri në 40 përqind – varësisht prej kategorisë. Do të jetë një rritje e mirëfilltë. Ky nuk është ndonjë premtim zgjedhor, por zotim”.
Planin për Rimëkëmbje të Shëndetësisë para pensionistëve gjilanas e ka prezantuar sekretari i PDK-së, Uran Ismaili.
Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së PDK-së pensionistët do të kenë trajtim dinjitoz, derisa ka prezantuar se në planin e tyre përfshihet sigurimi shëndetësor, barna falas, mjek për çdo familje dhe sistem shëndetësor modern.
Kandidati i PDK-së për kryeministër gjatë ditës në Gjilan do të zhvillojë takim edhe me të rinjtë e kësaj komune.