Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova menjëherë pas liberalizimit të vizave duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kurti duke diskutuar në Institutin “Karl Renner” në Vjenë ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i vonshëm. Ai ka thënë se Kosova po bën përpjekje tash që t’i mbajë qytetarët në shtëpi.
“Menjëherë pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresoj që t’i përgjigjemi me zell mijrëa pyetjeve që znj. Ursula von Der Leyen do të na i bëjë ne, pasi t’i thotë Këshilli Evropian. Liberalizimin po ta fitonim para disa vjetëve do të ishte më i rëndësishëm për Kosovën sesa që është tash. Po përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë, nëpërmjet ‘ausbildung’ siç e quani, kjo ndërlidhje e arsimit me tregun e punës. Kur ekonomia e arsimi nuk komunikojnë mirë atëherë fiton migrimi. Ne si hakmarrje e ëmbël po marrim modelin gjerman që njerëzit të mos shkojnë më në Gjermani”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO e po ashtu edhe për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që ende se kanë njohur Kosovën, Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
“Mendoj që kur t’i bashkohemi NATO-s ne jemi plotësisht të sigurt, por për t’iu bashkuar NATO-s ju duhet të kontribuoni e jo vetëm të prëfitoni. Dhe që të kontribuojmë ne do t’i rrisim kapacitetet tona. Mendoj që jemi nga ato shtetet që së pari do t’i bashkohet NATO-s e më pas BE-së, sepse BE-ja është më e komplikuar, siç e dimë. 22 shtete të BE-së na njohin, e pesë nuk na njohin. Kemi përmirësuar atmosferën, por s’ka hapa konkretë që do të mund të thoja që këtë vit apo vitin e ardhshëm do të na njohë ndonjë. Kur këto shtete të na njohin, asgjë s’mund të na ndalojë drejt anëtarësimit në NATO e BE. Shteti i fundit i BE-së që na ka njohur mendoj se ishte Portugalia në tetor të vitit 2008 dhe nga atëherë këto pesë shtete mosnjohëse janë bërë si një grup. Kështu që duhet ta ndryshojmë këtë tash, është shumë më e vështirë të bëhet sesa në vitin 2009 apo 2010”, ka thënë Kurti.