Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Këtë e bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Më tutje nënvizoi se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është nënshkrimi i njohjes de-facto.
“Serbia është fqinji ynë më i madh. Kufiri me Serbinë është 381 kilometra dhe tani përbënë një rrezik sigurie por që mund të jetë një mundësi ekonomike. Për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar. Gjithashtu na nevojitet integrimi evropian. Nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Duhet të jetë drejt BE-së dhe me BE-në.Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha Kurti.
Kurti tha se Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim evropian.
“Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim. Nëse i shkoni deklarimet në të gjitha vendet ka dallime se cila dëshiron të integrohet në BE. Kosova nuk pëlqen të përdorë këtë metaforën e kryeministrit Denkov. Ne nuk i përgatisim politikat ‘quantum’. Ne jemi me BE-në, ShBA-në dhe NATO-n, kemi vendosur sanksione kundër Federatës ruse dhe nuk kemi dilema se demokracia dhe zhvillimi duhet të shkojnë dorë për dore, prandaj presim me padurim të bashkëpunojmë”, shtoi Kurti.
Më tutje kryeministri i vendit, Albin Kurti bëri të ditur se rritja ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë pritet të jetë 3.8 për qind.