Misioni paqëruajtës KFOR, ka konfirmuar se viktimë e një aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Prishtinë-Pejë, që ka ndodhur sot në orën 15:30 është një pjesëtar i KFOR nga Italia. Lëndime trupore ka pësuar edhe një tjetër ushtar.
“Ushtari italian ishte i punësuar në bazën e KFOR-it në Novosellë dhe ai ishte viktimë e një aksidenti rrugor derisa ai ishte në brenda një VM90”, njofton KFOR.
Automjeti ushtarak ishte duke qarkulluar përgjatë rrugës që lidhë komunën e Pejës dhe Klinës.
“Ushtari, në gjendje kritike dhe pa ndjenja, u shpëtua dhe u transportua menjëherë me helikopter në Prishtinë, por rreth orës 16:50 ka ndodhur vdekja e ushtarit”, njoftoi KFOR.
Në aksident u lëndua edhe një tjetër ushtar.
“Në mjetin e përfshirë në aksident ndodhej edhe një tjetër ushtar i cili u transportua në një gjendje të vetëdijshme dhe të qëndrueshme në Camp Villaggio Italia me ambulancë, dhe më pas u dërgua në spitali ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutas, ka shprehur ngushëllimet e tij.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë ushtarit të lënduar”.
Shkaku i aksidentit është duke u hetuar.
“Aktualisht Policia Ushtarake Ndërkombëtare po heton në bashkëpunim shkakun e aksidentit me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare”, njofton KFOR.