Komuna e Prizrenit, përmes faqes së saj zyrtare në faceboook, njofton se, Drejtoria e Shëndetësisë është duke vazhduar intensivisht me realizimin e testeve serologjike dhe të testeve të shpejta (rapide) antigjen për Covid-19.
Që nga fillimi i realizimit të këtyre testeve, deri më tani janë kryer gjithsej:
1,409 teste të shpejta (rapide) antigjen, dhe 12,660 teste serologjike. Testet e shpejta (rapide) antigjen, rezultatet e të cilëve dalin brenda 10 minutave dhe kanë saktësi prej 98,8%, qytetarët e komunës së Prizrenit mund t’i kryejnë duke e marrë udhëzimin e mjekut të tyre familjar dhe duke u paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr.
Ndërkaq, testet serologjike për COVID-19, të cilët bëhen përmes gjakut dhe tregojnë nëse personi është ose ka qenë i infektuar me koronavirus, qytetarët e komunës së Prizrenit mund t’i kryejnë në laboratorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare 1, po ashtu me udhëzimin e mjekut familjar në QMF-të përkatëse ku banojnë.
Qytetarët të cilët kanë çfarëdo lloj pyetje apo pa qartësi në lidhje COVID-19 dhe realizimin e këtyre testeve, mund të informohen duke telefonuar në numrin: +383 44 273 001, e cila është 24 orë në dispozicion.
Kujtojmë se përveç këtyre testeve, komuna e Prizrenit është komunë e vetme, e cila në shëndetësinë primare ofron pakon e kompletuar të shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar: -Testet e D-Dimer-it, -Rentgenin e mushkërive, -Analizat tjera të nevojshme dhe -Testet serologjike -Testet rapide (antigjen).