Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot bëhen një javë që nga vrasja e policit Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i Serbisë kishte qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
Sipas tij, përmes pamjeve të siguruara nga dronët e grupit terrorist të cilët u konfiskuan, vërtetohet se përgatitjet për sulm u bënë në Serbi.
“Sot do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit të Serbisë. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se pamjet janë siguruar nga dronët e grupit terrorist.
Sipas tij, trajnimet janë bërë në Kopoanik, në një pronë të Milan Radojçiqit.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se nga hetimet e bëra kanë ardhur në përfundim se grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, ka stërvitur për kohë të gjatë në territorin e Serbisë.
Hoxha ka thënë se grupi kishte ushtruar në hapësirën e Hotel Grey në Kopaonik, që është pronë e Milan Radoiçiqit, ndërsa po ashtu është stërvitur edhe në poligonin më të madh ushtarak në Serbi në “Pasuljanske Livade”. Ai ka thënë se Serbia u ka vënë në dispozicion grupit logjistikën e infrasatrukturën për stërvitje. Ai ka thënë se pamjet e reja janë siguruar nga dronët e grupit që janë konfiskuar,
“Bazuar në të dhënat e siguruara, rezulton se qendra e grupit terrorist ishte Kopaoniku, përkatësisht hapësira që është pronë e Milan Radoiçiqit. Ushtrimet ushtarake janë mbajtur në një prej poligonet më të mëdha ushtarake të Serbisë, së paku 4 ditë para sulmit në Banjskë”, ka thënë Hoxha në konferencë për media.
Sveçla: Informatat inteligjente tregojnë për më shumë të vrarë
Ministri Xhelal Sveçla thënë se aksioni po vazhdon dhe se momentin ‘kur do të gjenden trupat tjerë, do të njoftojnë”.
Sipas tij, vet presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se janë katër të vrarë.
“Informatat inteligjente flasin për më shumë, por çdo moment që kemi dëshmi, do t’i publikojmë”, ka thënë.
Ai ka thënë se sulmi ka lidhje edhe me arrestimin e tre policëve të Kosovës muaj më parë.
Sveçla: Do të kërkojmë që vila e Radojçiqit të shfrytëzohet si stacion i njësitit të barkave të Policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se vila e Milan Radojiçiqit buzë liqenit të Ujmanit është i ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Ai ka thënë se “bypass” i tunelit është i uzurpuar nga ky kompleks i Radojiçiqit.
Ka shtuar se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë që kjo pronë t’i kalohet Ministrisë së Punëve të Brendshme “e pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës për stacioni për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit”.
Sveçla: Terroristët serbë kanë synuar hapjen e një korridori për furnizim me armë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë, nuk është Milan Rdojiçiq, por vet Serbia e Aleksandar Vuçiqit. Sipas tij, Radojiçiq është vetëm ekzekutues. Ka shtuar se kanë apeluar te Bashkësia Ndërkombëtare që jo vetëm të dënojë Serbinë, por edhe ta sanksionojë.
“Sa i përket ekstradimit, është çështje e Prokurorisë të vazhdojë procesin. Po ashtu duhet që përmes partnerëve ndërkombëtarë që të iniciojmë procesin për ekstradimin jo vetëm të Radojiçiqit por edhe të tjerëve”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se “terroristët serbë kanë synuar hapjen e një korridori për furnizim me armë”. Sipas tij, aksioni është ende duke vazhduar në zonën ku ka ndodhur konflikti. Sveçla ka thënë se kanë zbuluar “pak a shumë” se si kanë hyrë armët në Kosovë, por ka shuar se nuk do të tregojnë në mënyrë që të mos pengohet procesi i hetimeve.
“Ne kemi pasur disa informacione nga Agjencia e Inteligjencës për këto sulme, por nuk e kemi ditur se kur do të vinin dhe se si do të vinin. Ne jemi duke bërë shumë që të tregojmë se të gjithë njerëzit pa dallim etnie mund të jetojnë të qetë në Kosovë. Po ashtu po sigurohemi që të tilla sulme të mos ndodhin sërish”, ka thënë ai.
Hoxha: Sulmi fillestar në Banjskë u bë me eksploziv, në të u vra polici Bunjaku
Drejtori i Prëgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se sulmi fillestar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ka ndodhur me eksploziv.
Ai ka thënë se patrulla e policisë kishte shkuar për të shikuar se çfarë po ndodh me kamionët dhe ka ndodhur shpërthimi.
“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e sulmit ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Nuk u sulmua Policia Speciale, por patrulla policore e rendit publik. Jemi ballafaquar me kritika se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha.
Ai ka treguar se sulmi i parë ishte bërë me një minë me teledirigjim.
Hoxha, ka shfaqur në konferencë për media foto të armëve të ndryshme që u konfiskuan në Banjskë të Zveçanit.
“Këto janë pajisje ushtarake të gjetura, është minë e përdorur me teledirigjim në sulmin ndaj kolegëve tanë, me çrast humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku nga sulmi i parë me detonim nga kjo lloj mine”, tha Hoxha.
Ai ka thënë se shumë nga armët e gjetura janë prodhim i ri i Serbisë dhe se nuk mund të gjenden në treg të zi.
Hoxha: Dokumentet tregojnë se plani ishte të aneksohet veriu i Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se ky ka qenë një sulm i përgatitur shumë mirë.
Sipas tij, përgatitja nuk është bërë nga njerëz të thjeshtë.
Ai ka shtuar se çdo gjë ka qenë e planifikuar.
“Ata nuk kanë pasur qellim vetëm marrjen e fshatit Banjskë, apo vrasjen e policit, por plani ka qenë aneksimi i gjithë veriut të Kosovës. Dokumentet që kemi në dorë, e që nuk mund t’i bëjmë publike tregojnë planin e sulmit nga 37 pozicione në gjithë veriun e Kosovës”, ka thënë ai.
Sveçla: Nuk do ta pranonim kërkesën për tërheqjen e forcave speciale nga veriu
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se policia ka qenë fillimisht më numër më të vogël të sulmuesve.
Sipas tij, rënia e policit, Afrim Bunjaku, ka bërë të mundur që një skenar ogurzi për Kosovën, të ndërpritet.
Ka shtuar se tërheqja e sulmuesve serbë është bërë edhe për shkak të terrenit të lartë.
“Në momentin që kemi dëshmi për përfshirjen e kujtdo në këtë sulm terrorist, ne do të reagojmë dhe do ta sjellim para drejtësisë”, ka thënë ai. “Sesa është i rrezikshëm Vuçiqi për Kosovën, e pamë me 24 shtator”.
Sveçla ka thënë se ka pasur kërkesë që përdorimi i njësive speciale të jetë më i rezervuar.
“Ka pasur kërkesa publike që përdorimi i njësive speciale të jetë më i rezervuar. Të angazhohen ato vetëm në rastet kur vlerësohet se ka nevojë për to. Nuk ka pasur kurrë kërkesë për tërheqje të specialeve nga veriu i Kosovës. S’do ta pranonim kërkesë të tillë. E Kemi bërë vazhdimësi publike. Ka pasur reduktim të forcave policore në objekte e oborre të komunave. Asnjëherë nuk ka pasur kërkesë të tërhiqet policia nga veriu as s’do ta pranonim kërkesën. Edhe në këtë rast u dëshmua nevoja e prezencës së shtuar të njësive speciale, për shkak të përgatitjes së tyre apo pajisjeve më të veçanta që kanë. Në vazhdimësi policia jonë është në detyrë, në rrezik, sa më pak që janë përgatitur rreziku është i madh”, ka thënë ai.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se nuk ka pasur asnjë tentativë që të krijohet mundësi për tërheqjen e personave që morën pjesë në sulm./KOHA/