Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Serbia i ka dislokuar trupat ushtarake rrotull kufirit me Kosovën, duke thënë se shteti serb, luftën me Kosovën e ka humbur në vitin 1999.
Çitaku tha se Serbia e di çka sjell përballja me NATO-n, teksa shtoi se Kosova duhet të përqendrohet në sfidat e vitit 2023.
“Përderisa Serbia dëshprimisht dhe pasuksesshëm po mundohet t’i rikthejë betejat e humbura në të kaluarën, ne si Kosovë duhet të përqendrohemi në sfidat e vitit 2023”.
“Konsolidimin e shtetësisë, fuqizimin e aleancave me SHBA dhe BE, Partneritetin për Paqe me NATO, mbrojtjen e minoriteteve”, shkroi Çitaku.
Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dje i kanë bërë thirrje që urgjentisht Serbia t’i tërheqë trupat e vendosura rrotull kufirit me Kosovën dhe t’i zbatojë obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.