Kryekrimineli terrorist, Milan Radojçiq i është drejtuar me një letër opinionit sot ku ka folur për ngjarjet në veri.
Ai ka tentuar ta shfajësojë presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për sulmin terrorist në Banjskë të dielën, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se ka bërë të gjithë përgatitjet logjistike për sulmin, në atë që ai e quan “mbrojtjen e popullit serb”.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terror”, ka thënë ai.
Paraprakisht, Radojçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.