Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka thënë se vlera e aseteve të bankave komerciale në Kosovë në muajin gusht të vitit 2023 ka arritur në 7.09 miliardë euro.
Sipas statistikave bankare të muajit gusht të BQK-së, vetëm në këtë muaj vlera e aseteve është rritur për rreth 148.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak.
Ndërsa investimet e bankave komerciale jashtë vendit, sipas BQK-së, në formë të depozitave, letrave me vlerë dhe plasmanëve tjerë, kanë shënuar rritje prej rreth 155 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Kurse depozitat e klientëve të këtyre bankave, bën të ditur BQK-ja, kanë shënuar rritje për rreth 161.6 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, duke arritur në total vlera e tyre në gusht 2023 prej 5.83 miliardë euro. Rreth 25% e depozitave janë të afatizuara.
BQK-ja po ashtu ka bërë të ditur se vlera e kredive të reja në muajin gusht ishte 170.7 milionë euro, ndërsa norma e interesit në kredi është 6.70%.
“Gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit gusht 2023 ishte 811.8 milionë euro, i cili është për 13.65 milionë euro më i lartë” – thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).